KRYETARI I SINDIKATËS SË PUNONJËSVE TË POSTE-TELEKOMIT SHQIPTAR

 

Të nderuar kolegë, sindikalistë të SPTTSH-së,

Më lejoni që në këtë vit të tretë të botimit të revistës sonë vjetore ku përmblidhen aktivitetet kryesore të sindikatës gjatë një viti, t`ju drejtohem me një falenderim të sinqertë të gjithë anëtarëve të sindikatës sonë. Një falenderim dhe vlerësim u takon të gjithë kolegëve të strukturave të SPPTSH-së, që kanë punuar me seriozitet për të përfaqësuar denjësisht të gjithë punonjësit e seksioneve dhe rajoneve të tyre edhe të gjithë partnerëve kombëtar dhe ndërkombëtar që na kanë mbështetur në veprimtarinë tonë sindikaliste,por edhe moralisht për punën që kemi bërë deri tani,përballjen me sfidat që kemi kaluar edhe ato që na presin.

Viti 2017 ishte një vit shumë i rëndësishëm pasi në 10 Shkurt 2017, sindikata mbajti kongresin e saj të VII-të. Ky kongres ishte një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm prej faktit se ishte një organizim model i cili duhet të merret si një shembull dhe nga sindikatat e tjera në Shqipëri, as nga fakti se aty merrnin pjesë përfaqësues të lartë të qeverisë, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, përfaqësues të kompanive Albtelecom, Makhes, dhe përfaqësues të organizatave të tjera si motra,por për vendimet e rëndësishme që u morën në këtë kongres nga të gjithë delegatët e mandatuar dhe për mesazhet që u përcollën për të gjithë punonjësit. Një nga vendimet kryesore ishte ndryshimi i strategjisë së sindikatës për ti grupuar të gjithë kompanitë e sektorit të postave dhe telekomunikacionit nën Sindikatën e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar. Ndryshimet statutore të miratuara i mundësojnë sindikatës që tashmë mos të jetë e hapur vetëm për kompanitë e sektorit por të jetë e hapur për të gjithë individët, sektorët privat dhe publik që i përkasin këtyre fushave që dëshirojnë anëtarësimin në këtë Sindikatë.

Si drejtues i SPPTSH-së, jam shumë i lumtur që dhe nga qeveria Shqiptare kemi arritur të marrim vlerësime për punën e kryer në sektorin e telekomunikacionit. Ashtu si dhe gjatë aktivitetit tonë të 25 Vjetorit,ku ministrja e Inovacionit znj. Milena Harito përcolli falenderimet e saj si dhe mesazhin që sindikata jonë të përfaqësoj edhe kompanitë e tjera të sektorit të telekomunikacionit.Njëkohësisht edhe në Kongresin e VII-të një tjetër përfaqesues i qeverisë Shqiptare, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi përvec falenderimit bëri dhe nje urim të vecantë për strukturat e SPPTSH-së, duke uruar produkte të vërteta dhe që fryma sindikaliste e sindikatës tonë të shërbej jo vetëm për të mbrojtur ineresat e anëtarëve të sindikatës, por dhe si model i sindikatave të ngjashme në vendin tonë.

Në 27 Maj 2017, sindikata zhvilloi mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të SPPTSH-së të dalë nga Kongresi i VII-të. Në mbledhjen e parë të tij, u zgjodhën strukturat e tjera drejtuese të SPPTSH-së, dhe u miratua plani strategjik për implementimin e strategjisë së zgjerimit të sindikatës në nivel sektorial vendosur në Kongresin e VII-të. Plani strategjik filloi të zbatohet këtë vit me disa kompani në sektorin e telekomunikacionit, postar dhe call center. Me të gjithë punonjësit e këtyre kompanive po punohet për sensibilizimin dhe antarësimin e tyre në sindikatë në mënyrë që SPPTSH ti përfaqësoj pranë punëdhënësit të tyre për lidhjen e kontratës kolektive të punës.

Një rëndësi të veçantë i është kushtuar këtë vit strategjisë së re për zgjerimin e sindikatës në nivel sektorial, ku janë organizuar disa seminare trajnuese me partnerët tanë ndërkombëtar si Solidarity Center dhe UNIGlobal Union. Një zhvillim i rëndësishëm këtë vit ka qenë edhe partneriteti që ka nisur me sindikatën Gjermane Ver.di e cila është një nga sindikatat më të mëdha në Europë ku aderojnë 2 milion anëtarë. Ver.di është duke asistuar sindikatën tonë në kuadër të aleancës së Deutsche Telekomit për organizimin e sindikatës në Telekom Albania. Ky bashkëpunim ka sjellë takime reciproke ku është hartuar një protokoll pune për të përcaktuar qartë angazhimin e secilës palë në këtë partneritet strategjik.

2017-ta, ka qenë një vit i mbushur me një numër të lartë aktivitetesh sindikale. Në kuadër të strategjisë së re, janë zhvilluar një seri trajnimesh për përfaqësuesit e sindikatës. Por risia këtë vit ka qenë edukimi i anëtarësisë në të gjitha seksionet dhe rajonet, duke filluar me seksionet e Tiranës dhe duke vazhduar me rradhë me rajonin Shkoder-Lezhe, Kukes-Peshkopi, Korce- Elbasan, Fier-Berat dhe Vlore-Gjirokaster. Programet dhe trajnimi janë zhvilluar në bashkëpunim me fondacionin gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES), ku synimi ka qenë forcimi i sindikatës. Anëtarët nga baza sindikale të cilët kanë marrë pjesë kanë pasur mundësi që në fund të këtyre seminareve të diskutojnë me drejtuesit e sindikatës mbi problematikat në vendin e tyre të punës. Të gjitha këto problematika të mbledhura i janë paraqitur drejtuesve të kompanive respektive.

Një vendim tjetër i rëndësishëm këtë vit ka qenë përqendrimi i aktiviteteve vetëm për anëtarët e sindikatës. Prandaj i është kushtuar një rëndësi e veçantë bashkepunimeve me palë të treta në mënyrë që anëtarët të përfitojnë ulje në shërbime të ndryshme. Në prag të festave të fundvitit sindikata njoftoi të gjithë për përfitimet dhe uljet që çdo anëtarë mund të përfitonte në palestrën 24 orëshe Fit-Express, në dy klinikat dentare “Xholi” dhe në qendrën estetike “Flora”. Sindikataështë duke mundësuar edhe bashkëpunime të tjera të cilat do tu bëhen të njohura anëtarëve gjatë vitit 2018. Në vazhdim të planit të miratuar nga Këshilli Kombëtar janë zhvilluar aktivitete social- kulturore për të vitalizuar anëtarësinë e SPPTSH-së për Seksionin Makhes 2. Për të gjithë anëtarët e këtij seksioni është organizuar një darkë festive me rastin e festave të fundvitit. Gjithashtu edhe këtë vit përsëri për të gjithë besimtarët myslimanë është shtruar darka e iftarit gjatë muajit të Ramazanit.

Jemi shumë të lumtur që falë kontratave kolektive të Sindikatës me punëdhënësit Albtelecom dhe Makhes të gjithë punonjësit kanë përfituar një shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Punonjësit e Kompanisë Makhes falë vendosjes së bazës minimale të shpërblimit të vitit të ri në Kontratën Kolektive kanë përfituar 5,000 lek. Ndërsa punonjësit e Albtelecom kanë përfituar 25,000 lek. Një falenderim i veçantë shkon edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Albtelecom që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së sindikatës për të motivuar punonjësit duke rritur shpërblimin e vitit të ri nga 20,000 lek në 25,000 lek.

Në revistën vjetore që botohet cdo muaj Shkurt, muaj që përkon dhe me themelimin e Sindikatës sonë në vitin 1991, do ti gjeni të gjitha këto aktivitete të detajuara në brendësi. Gjithsesi dua të theksoj edhe njëherë se puna jonë për të rritur dhe forcuar këtë sindikatë do të vazhdojë. Ne do të luftojmë për të ndërtuar një sindikatë moderne në shërbim të të gjithë anëtarëve. Sa më shumë solidarizohemi me sindikatën aq më shumë i shërbejmë zgjidhjeve të kauzave tona të përbashkëta.