DEKLARATË COVID 19 – Masat urgjente për vendet e punës dhe ekonominë

Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar (SPPTSH), duke vërejtur përhapjen e shpejtë të virusit COVID-19 në Shqipëri kërkon një reagim urgjent për të mbrojtur shëndetin në punë, vendet e punës dhe stimuluar ekonominë. Ne vlerësojmë punën e Qeverisë për luftën që po zhvillon per te ndaluar përhapjen e virusit dhe mbështjen financiare te akorduar per punen e palodhur te stafit mjekesor per te perballuar kete emergjencë kombëtare. Gjithsesi duke qenë se situata e karantines pritet te zgjasë, është e qartë që të mbrosh tërë shoqërinë do të thotë të mbrosh njerëzit në punë. Qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat duhet të veprojnë për të mbrojtur punonjësit dhe për të trajtuar transmetimin e virusit në vendet e punës.

Punonjësit e Telekomunikacionit, Postave, Qendrave te Thirrjeve (Call Center) dhe të gjithë punonjësit në të gjithë sektorët e shërbimeve, shumë prej të cilëve janë në kontakt me shumë njerëz në punën e tyre të përditshme, tani e gjejnë veten në pararojë të përpjekjeve të shoqërisë për të frenuar përhapjen e pandemisë Covid-19. Punonjësit e këtyre shërbimeve mund të kenë nevojë për vet karantinim në vazhdim, prandaj politikë-bërësit duhet të garantojnë pagën e të “sëmurëve” për këtë periudhë karantinimi në mënyrë që ata të mbrojnë veten dhe të gjithë ne.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paralajmëruar se COVID-19 mund të shkaktojë një recesion ekonomik të ngjashëm me atë te vitit 2008. Ndërsa ndikimi i virusit përhapet më tej, dialogu ndërmjet sindikatave, punëdhënësve dhe qeverisë është me rëndësi jetike në mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe të drejtat e tyre në punë. Nevoja që qeveria të veprojë së bashku me këta aktorë për të ngritur ekonominë dhe për t’i mbajtur njerëzit në punë është e qartë. Prandaj Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar për të gjithë punonjësit e këtij sektori i bën thirrje:

  • Qeverisë:
  1. Të hartojë dispozita të posaçme për tu zbatuar nga punëdhënësit për të zgjatur menjëherë të drejtat e pushimit të paguar për punonjësit në rast të prekjes nga virusi ose karantinimit të detyruar.
  2. Të zgjerojë mbrojtjen sociale për të gjithë punonjësit, pavarësisht nga statusi i tyre i punës (me kohë të plotë ose të pjesshme);
  3. Në mbështetje te Nenit 48 Kodi i Punës pika 2 “ Mjedisi i Punës” , ku Këshilli i Ministrave përcakton masat që duhet të ndërmarrë punëdhënësi, kërkojmë hartimin e masave mbrojtëse më specifike për punëdhënësit për të mbrojtur punonjësit.
  4. Të vendos paketa stimuluese me shpenzimet shtetërore që synojnë të mbajnë punën dhe ekonominë, duke mbrojtur pagat, mirëqenien e punëtorëve dhe të bizneseve që do të preken nga mungesa e fuqisë punëtore.
  5. Të bashkëpunojë me punëdhënësit dhe sindikatat për të hartuar lehtësime fiskale në mënyrë që punëdhënësit t’i përgjigjen kërcënimeve të paraqitura nga COVID-19 dhe të sigurojnë që punëtorët e tyre janë të mbrojtur dhe nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë.
  • Punëdhënësve:
  1. Punëdhënësit e ketij sektori duhet të sigurojnë që punëtorëve t’u jepen mjetet e nevojshme cdo ditë që paraqiten në punë (dorezat,maskat,disinfektantët etj) për të garantuar sigurinë e tyre dhe atë të publikut të gjerë.
  2. Të garantojë sigurinë e gjithë punonjësve duke disinfektuar ambientet e punës, ajrosur, respektuar distancën në vendin e punës, krijuar kushte për higjenën personale dhe t’u sigurojnë atyre informacionin për sa i përket pajisjeve që përdorin;
  3. Trajnimi i punonjësve në lidhje me masat që duhet të marrin për Covid 19, që të kuptojnë rreziqet me të cilat përballen dhe besimin në pajisjet e tyre.
  4. Të promovojnë punën nga shtëpia (online) sa më shumë të jetë e mundur.
  5. Punonjësit me risk të lartë ose me sëmundje kronike të kenë orare të reduktuara ose mundësisht të punojnë nga shtëpia.
  6. Të hartohen masa që në pikat e shërbimit për publikun të evitohet kontakti dhe grumbullimi i njërëzve.
  7. Të mbulohen me pagë të plotë punonjësit që mund te preken nga Covid 19 ose duhet të karantinohen.
  8. Të mundesohet që një nga prindërit me fëmijë të vogël të qëndrojë në shtëpi gjatë periudhës kur shkollat do të jenë të mbyllura.
  9. Privatësia dhe informacioni personal i punonjësve duhet të mbrohen pasi ato i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore nga COVID-19.
  10. Të bashkëpunojnë me sindikatat dhe përfaqësuesit e punonjësve për të identifikuar kërcënimet ndaj shëndetit, të drejtave dhe mirëqenies së punonjësve.

Mos harroni që punonjësit e sektorit tonë janë në vijën e parë të ndikimeve ekonomike, sociale dhe shëndetësore të COVID-19. Marrëveshjet kolektive sigurojnë kontekstin gjithëpërfshirës dhe të adaptueshëm për marrjen e këtyre vendimeve të përbashkëta. Mos respektimi i tyre mund të rrisë përhapjen e virusit! Të gjithë sëbashku do ta kalojmë ketë situatë!

Lexo Deklaraten

SINDIKATA E PUNONJESVE TE POST-TELEKOMIT SHQIPTAR