Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar mbas një pune të gjatë dy vjecare ka arritur të firmos sot kontratën e parë kolektive në sektorin e call centerave, duke vendosur kështu gurin e parë kilometrik në punën e gjatë të organizimit të punonjësve të këtij sektori. Kontrata kolektive e punës e firmosur ndërmjet Sindikatës e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar dhe punëdhënësit “Best Training & Consulting” siguron standarte më të larta dhe mbrojtje për të 200 punonjësit e kësaj kompanie.
Gjatë firmosjes së kontratës, Administratorja e Shoqërisë znj. Ersenilda Elezi u shpreh e kënaqur për faktin që janë kompania e parë në Shqipëri në fushën e call centerave që firmosin kontratë kolektive. “Fokusi jonë ka qenë gjithmonë rritja e standarteve dhe kushteve të punës, pasi vetëm duke pasur punonjës të kënaqur mund të ofrojmë shërbime akoma më të mira për klientët tanë, urojmë që kjo kontratë të shërbej si një udhërrëfyes, për rrugën që duhet të ndjekin edhe kompanitë e tjera të ketij sektori.” – tha znj. Elezi
Ndërsa per kryetarin e sindikatës z. Renato Mucaj, ky është një moment historik pasi nuk garanton vetëm të drejtat e këtyre punonjësve,por e ngre marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës në një standart tjetër duke u bërë kështu një shembull dhe për kompanitë e tjera për të hapur dyert dhe për të lejuar organizimin kolektiv. Z. Mucaj, falenderoi të gjithë punonjësit,organizatën “Together For Life (TFL)” dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë periudhë 2 vjecare organizimi që u kurorëzua sot me firmosjen e kontratës kolektive.
Kontrata Kolektive është e vlefshme për të gjithë punonjësit e Shoqërisë “Best Training & Consulting” duke rregulluar drejtëpërdrejtë dispozitat e Kontratave Individuale të Punës dhe duke i siguruar Punëmarrësve të drejtën të mbrohen nga Kontrata Kolektive e Punës. Gjithashtu kontrata kolektive përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet e punëmarrësve duke garantuar mbrojtjen nga diskriminimi, trajtimin e barabartë të punëmarrësve, mbrojtje të vecantë për gratë shtatëzanë, mbrojtjen e të dhënave personale, trajnimet e punëmarrësve, pushimet vjetore, pushime të tjera për raste të vecanta, pagesat e orëve jashtë orarit dhe gjatë ditëve të festave, rishikimi i pagave njëherë në vit, shpërblimet, sigurinë dhe shëndetin në punë, vlerësimin e performancës, shpërblimet mbi vjetërsinë në punë, liritë sindikale dhe të drejtën e grevës.
Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar do të monitoroj në vazhdim zbatimin e kontratës kolektive dhe njëkohësisht do të vazhdoj punën për organizimin e mëtejshëm të punonjësve në sektorin call center.