Riformatimi i ri i ministrive dhe mbetja pa emer e Ministrisë së Punës, të lë një shije për të mos thënë një mendim paksa të çuditshëm: Kjo Ministria e Punës nuk paskësh pas aspak rëndësi për qeverinë, apo nuk ka kryer asnjë funksion? Një godinë e madhe në mes të qendrës së Tiranës me plot kate e zyra, me plot drejtori e specialistë që pas fitores së demokracisë po punonte për të rregulluar marrëdhëniet e punës, funksionimin institucional të dialogut social midis partnerëve punëmarrës( sindikatave), punëdhënës( Shoqatat e punëdhënësve) dhe përfaqësuesve të qeverisë(shtatë ministra), që përbënin Këshillin Kombëtar të Punës, do të jetë një karakoll, që do të mbulojë nevojat për mjedise të ministrive të tjera ?!
Pyes me shqetësim: Deri kur qeveria nuk do të konsultohet me partnerët e interesuar për këto ndryshime rrënjësore, strukturore, që prekin interesat e tyre? Vallë kjo Ministria e Punës paskësh qenë kot?
Nuk janë bërë ende dy vite që Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet e fundit në Kodin e Punës dhe tashmë shumë nene të këtij Kodi dalin të pavlera.
Po si po reagojnë partnerët socialë? Një hutim total, një çoroditje i ka pështjellë si sindikatat, ashtu edhe punëdhënësit, që po presin cfarë do të ndodhë, me kë do të komunikojnë, kush do të jetë ministria, që do të luaj rolin e interlokatorit me ministritë e tjera me të cilët ata do të kenë probleme për të diskutuar apo për të zgjidhur. U fol që Ministria e Financës dhe e Ekonomisë do të mbulonte edhe misionin e Ministrisë së Punës, por pastaj u katandis kokoshi një thele dhe një çikërrimë iu la Ministrisë së Shëndetësisë që do të shohë edhe mbrojtjen sociale. Pak paradoksale kjo, sepse nuk arrij të kuptoj se ç’lidhje ka Ministria e Shëndetësisë me mbrojtjen sociale, sikur nuk ma gjen mendja. Mirë kjo është puna e qeverisë, por ju lutem si do të justifikohet dhe si do t’u shpjegohet donatorëve të ndryshëm e sidomos Bashkimit Europian, që kanë shpenzuar goxha fonde për të trajnuar partnerët socialë dhe drejtoritë e punonjësit e Ministrisë së Punës, apo anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës, që asnjë herë nuk u respektua për misionin që kishte dhe konsulencat e tij kjo qeveri nuk i zbatoi në shumicën e rasteve, ndonëse ky ishte institucioni më i lartë i dialogut trepalësh social. Janë ngritur soj – soj këshillash nga qeveria, por sindikata që përfaqëson punëtorët nuk është në asnjërin prej tyre. Qeveria e ka parë me vend që të jetë shoqëria civile dhe tani gradualisht ajo e mbylli hermetikisht dialogun me sindikatat e punëtorëve, pasi edhe Këshilli Kombëtar i Punës është drejt fundit të funksionimit të tij. Pavarësisht se si kanë funksionuar, sa rëndësi u kanë dhënë atyre, sa eficiente kanë qenë, apo sa probleme kanë zgjidhur ose sa fasadë kanë paraqitur me performancat e tyre në televizion, përsëri një gjë që është mund të rregullohet, reformohet, apo evoluohet, por kur nuk ekziston fare atëherë për fatin e keq, pasi u deklarua që në Shqipëri nuk ka sindikata tani zhduken edhe institucionet si ai i dialogut tripalësh dhe qeveria e konfirmon plotësisht atë që ka shprehur dhe që nuk i bën nder, pasi shkel rëndë demokracinë në vendin tonë.
Po kur do të dalin nga çoroditja partnerët socialë? Kur ata di t’ia bëjnë të qartë qeverisë që ajo duhet të shpalosë dhe t’i bëjë publikë planet e saj lidhur me këto shqetësime që janë edhe probleme shumë serioze.. Kjo amulli e krijuar çon ujë në mullirin, që krijon një situatë të rrezikshme e cila me pak fjalë nënkupton që edhe nëse do të bëhet diçka është një arnë që nuk e mbulon lakuriqësinë dhe ata që e pësojnë janë punëtorët, janë sindikatat e tyre ndaj të cilave po bëhet një presion i jashtzakonshëm për të penguar funksionimin dhe misionin e tyre të avokatisë së punëtorëve, të pensionistëve dhe të shtresave në nevojë.
Po me Kodin e Punës, me fondet, që u shpenzuan, me përpjekjet njerëzore për të bërë një Kod të mirë të standardeve europiane çfarë do të bëhet, apo jemi mësuar ne shqiptarët pasi i shtrojmë bulevardet kujtohemi që nuk kemi bërë kanalizimet dhe harxhojmë para nga e para për të rishtruar pllakat e bulevardeve apo trotuareve, sepse dhe tani i ka ardhur radha që Kodi i Punës t’i përshtatet riorganizimit të ministrive dhe mosekzistencës së Ministrisë së Punës që është determinantja që i referohet ky Kod apo Këshillit Kombëtar të Punës që zë një vend të rëndësishëm në të.
Partitë politike kanë misionet e tyre një ndër të cilët është edhe mbështetja e sindikatave, por këtë e bëjnë vetëm në kohë fushate, kur i duhet mbështetja e sindikatës. Nuk kam dëgjuar asnjë prononcim të asnjë politikani të asnjë krahu të shfaqë sadopak shqetësim për këtë problem serioz, madje as Presidentit të Republikës, që ka qenë edhe kryeministër dikur, nuk i ra ndërmend që u eliminua Ministria e Punës, hallka që ishte më pranë qoftë edhe teorikisht me punëtorët jo vetëm për nga emri, por edhe nga misioni që kishte ose duhej të kryente.
Nuk e di të shpresojm që partnerët socialë të reagojnë, sindikatat më fort se kushdo dhe qeveria të paraqesë platformën se çdo të bëjë për të mbuluar këtë të grisur të madhe që s’ka arnë që ta mbulojë.
Hiqmete Daja
Presidente e Sindikatës së Pavarur të Tipografisë së Shqipërisë